Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën e kompanisë Moderna.
Vaksina e kompanisë amerikane është e fundit në listën e vaksinave të miratuara për përdorim emergjent, si AstraZeneca, Pfizer-BioNtech dhe Johnson&Johnson.
E njëjta gjë pritet të ndodhë në ditët në vijim edhe për vaksinën e kompanisë kineze Sinopharm dhe Sinovac, njoftoi OBSH, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.
Konfirmimi për përdorimin e vaksinës nuk do të sjellë ndonjë ndryshim për vendet në zhvillim, pasi kompania ka nënshkruar kontrata vetëm me shtetet e pasura, të cilat do kenë marrë tashmë edhe dozat e para.
Drejtori ekzekutiv i Modernas, Stephane Bancel, tha se kompania po “merr pjesë në mënyrë aktive në diskutime me organizata shumëpalëshe, si COVAX, për të ndihmuar popujt në mbarë botën”.