Seferi ka mposhtur të premten mbrëma kampionin e mëparshëm evropian, Tamas Lodi, një boksier hungarez, në CU-Arena në Neugraben, Gjermani, pas dymbëdhjetë rundesh.
Seferin e kanë përkrahur qindra bashkatdhetarë në sallën CU-Arena, të cilët e kanë motivuar gjatë gjithë kohës.
“Tajsoni shqiptar” nga Gostivari i Maqedonisë ka siguruar fitoren e 36-të në 42 luftëra profesionale, prej tyre 20 me nokaut. Kurse ka gjashtë humbje, prej tyre një me nokaut.
Seferi mbante pozitën e 14-të në kategorinë deri në 90 kg (Cruiserweight), kurse pas këtij triumfi ngjitet në top pesshën e WBO-së në botë.
Shqiptari nga Gostivari i Maqedonisë, i cili jeton në Bernë të Zvicrës, në këtë mënyrë mund të vazhdojë të shpresojë për një luftë për titull bote.
Në kategorinë “Cruiserweight” titullin e kampionit të botës në WBO e mban që nga viti 2009 gjermani Marco Huck (29).
Kundër gjermanit Huck shqiptari nga Maqedonia në vitin 2006 ka humbur pas dhjetë rundeve me pikë.