Në takimin e kryeministrave të vendeve të Grupit të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk do të marrë pjesë.
Zëdhënësja e Qeverisë në largim të Kosovës, Donjeta Gashi, ka bërë të ditur se Kosova është në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe se angazhimet e kanë pamundësuar pjesëmarrjen në samit të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, shkruan Radion Evropa e Lirë.
“Haradinaj e konsideron samitin e Vishegradit si një forum shumë të rëndësishëm, që kontribuon në proceset demokratike, bashkëpunimin dhe kultivimin e vlerave të larta evropiane dhe, për këtë arsye, Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë integrale dhe aktive e tij”, tha Gashi.
Më herët, agjencia çeke e lajmeve CTK ka raportuar se autoritetet e Kosovës e kanë anuluar pjesëmarrjen në samit për shkak të deklaratave të presidentit çek, Millosh Zeman, të bëra në Beograd, përcjell Albinfo.ch.