Ushtarakëve profesionistë, rojave të kufirit dhe diplomatëve, në të ardhmen nuk do t`u mundësohet të dalin në pension në moshën 60 vjeçare. Edhe për ta do të vlejë kushti standard i pensionimit, pra momenti i arritjes së moshës 65 vjeçare, sikur për punonjësit e fushave tjera. Këtë vendim në parim e ka marrë sot Këshilli Federal i Zvicrës, shkruan srf.ch.
Qeveria me këtë rast ka ngarkuar Ministrinë e Financave për t`i bërë sqarimet dhe konsultimet e nevojshme. Kjo e fundit, deri në mesin e vitit 2018 do të sqarojë se nën cilat kushte dhe kur do të fillojë hyrja në fuqi e rregullimit të ri. Po ashtu do të përcaktojë se kur do të veprojë rregullorja e re për punonjësit e punësuar rishtas në institucionet federale.
Mosha më e re për pensionim në bazë të praktikës së tashme u lejohet kategorive të caktuara të punonjësve federalë. Kjo arsyetohet me ngarkesën e madhe të cilës ata i nënshtrohen gjatë punës, transmeton albinfo.ch. Si shembull, këtu përmendet puna e diplomatëve të cilët punojnë në vende ku mbretërojnë kushte të vështira jetese.
Për punonjësit që janë tash në punë në këto degë, do të ketë një periudhë kalimtare të përshtatjes.