Ndërsa festa kombëtare e Zvicrës po afron, Administrata Federale e Doganave (FCA) po paralajmëron popullatën kundër importit të fishekzjarreve të paautorizuara, transmeton albinfo.ch.
“Kushdo që dëshiron të importojë fishekzjarre, në parim duhet të marrë një autorizim importi nga Zyra Federale e Policisë”, thotë FCA në një njoftim për shtyp.
Importi i pajisjeve piroteknike deri në 2.5 kilogramë për person është i lejuar pa autorizim, për sa kohë që ato nuk janë të ndaluara në Zvicër.
Sidoqoftë, importimi i fishekzjarreve që shpërthejnë në tokë nuk lejohet. Ndalohet edhe importimi i “Lady-Crackers” mbi 22 milimetra në gjatësi ose mbi 3 milimetra në diametër.
Fishekzjarret e ndaluara “do të sekuestrohen gjatë importimit ose nëse mungon një autorizim i importit. Çdo shkelje e ligjit do të denoncohet te prokurori publik”, tha FCA. /Albinfo.ch