Organizata ndërkombëtare e mjekëve «Ärzte ohne Grenzen» – «Médecins sans frontières»” (Mjekët pa kufij) pati njoftuar të premten për zhdukjen e pesë punëtorëve të saj në Siri.
Me atë rast organizata pati rekomanduar që lajmi për këtë rast të mbahej në diskrecion. Ndërkohë është kuptuar se në mesin e këtyre pesë të zhdukurve ishte edhe një person zviceran, anëtar i organizatës.
Këtë e ka konfirmuar së fundi sot (e dielë) edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës.
Nga kjo ministri ka dalë deklarata se është në mbikëqyrje të situatës dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me organizatën «Ärzte ohne Grenzen» – «Médecins sans frontières».
Për shkaqe sigurie deri më tash nuk janë dhënë më tepër informacione lidhur me identitetin e personit të marrë peng dhe as për organizatën që e ka bërë këtë. Ajo që dihet është se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes së javës së kaluar në veriun e Sirisë.
Një zëdhënës i Mjekëve pa kufij e ka konfirmuar për mediet zvicerane po ashtu faktin e përmendur më parë se njëri ndër të kidnapuarit është me nacionalitet zviceran.