Me mbledhje të përditshme qeverie dhe me krijimin e Komitetit për rindërtimit, kryeministri Rama caktoi edhe detyrat për kabinetin e tij dhe donarët që do të bëjnë ndërtimin e banesave. Por sot shënohet 1 muaj nga termeti dhe ende nuk ka një raport përfundimtar për dëmet dhe ende nuk ka nisur rindërtimi i banesave private, të cilat sipas planit fillestar të qeverisë, do të ndërtoheshin të parat.
Raportimet e abc NEWS, por edhe denoncimet e opozitës tregojnë se kur muaji ka kaluar, banorët ende vijojnë të jetojnë në çadra, ndërkohë që objektet e tyre ende s’janë vlerësuar nga ekspertët.
Kryeministri ka premtuar se në fund të janarit do të ketë një raport përfundimtar të dëmeve, ndërkohë që rindërtimi nuk do të nisë pa u zhvilluar më parë konferenca e donatorëve, e cila pritet të mbahet në fillim të shkurtit.
Qeveria ka përcaktuar mënyrën se si do të bëhet rimëkëmbja në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Përmes një akti normativ, ajo ka bërë kategorizimin e personave që përfitojnë nga fondi i rindërtimit dhe subjekteve që nuk do të marrin shpërblim, pavarësisht dëmeve që kanë pasur.
Akti normativ përcakton mënyrën se si do të ndërtohen pallatet dhe banesat private, të cilat u shpallën të pabanueshme dhe i hap rrugë blerjes së apartamenteve të pashitura në pallatet ekzistuese nëse kërkesa nga qytetarët do të jetë e lartë.
Qeveria nuk ka ende një numër përfundimtar të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, por ka pëcaktuar përmes një akti normativ rrugën që do të ndjekë për të rimëkëmbur zonat e prekura nga termeti, shkruajnë mediat shqiptare.
Kur ka kaluar 1 muaj nga fatkeqesia natyrore, i vetmi ndryshim i rëndësishëm që qeveria ka ndërmarrë është emërimi i një ministri për Rindërtimin, ndërkohë që për dhjetëra banorë jetesa vazhdon në çadra.