Në një sulm terrorist të ndodhur në Gao të Malit është plagosur një shtetas kosovar.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një njoftimi ka thënë se përmes Ambasadës së Kosovës në Senegal ka marrë informacione se gjatë sulmit të djeshëm, në Gao në Mali, është kryer një sulm terrorist mbi veturën disa punëtorëve të kompanisë “Ecolog”, e cila është nënkontraktuese e Misionit Paqeruajtës të OKB-së, MINUSMA, shkruan albinfo.ch.
“Nga ky sulm terrorist, ka mbetur i vrarë E.I. nga Tetova/Republika e Maqedonisë, ndërsa të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën kanë mbetur D.M., shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Fushë-Kosovë dhe B.L., gjithashtu nga Tetova”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Sipas njoftimit, MPJ është njoftuar se të plagosurit janë në shërim në spital në Dakar/Senegal.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Senegal dhe ambasadori Gashi sipas njoftimit janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në lidhje me sigurimin e informatave se ku do të vendosën të plagosurit dhe në momentin që të sigurohen informacione të tilla ai pritet që t’i vizitojë ata në spital.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme në bazë të informacioneve të para të siguruara dyshon se sulmi është kryer nga organizata terroriste Boko Haram.