Një aksident tragjik ka ndodhur sot në fshatin Jagot të Klinës, ku një tren është përplasur me një veturë, duke lënë të vdekur një 68-vjeçar dhe duke lënduar tre persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:25, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ndërmarrja “Trainkos” ka reaguar menjëherë pas aksidentit, duke theksuar se përplasja ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të shenjave të komunikacionit nga ana e drejtuesit të veturës. “Na vjen keq për humbjen e jetës së një qytetari dhe për lëndimin e tre të tjerëve. Familjes së viktimës i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”, thuhet në njoftimin zyrtar, transmeton albinfo.ch.
Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për trajtim.
Policia dhe ekipet e emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit janë ende në vijim.