Në burgun e qytetit Zug është gjetur të enjten nga gardianët trupi i pajetë i një të burgosuri në qelinë e tij. Siç njofton Marcel Tobler nga Drejtoria për Siguri e Kantonit të Zugut, kufoma është gjetur në mëngjes, pas kontrollimit të qelive.
“Shërbimi i shpëtimit e konstatoi vdekjen”, shkruan Tobler.
Prokuroria publike, në kompetencat e të cilës ndodhet burgu në Zug, ka iniciuar hetimet për zbardhjen e shkakut të vdekjes, raporton zentralplus.ch. Nuk ka indikacione për përfshirje të një pale të tretë.
Personi 36-vjeçar qëndronte i vetëm në qelinë e tij, përcjell albinfo.ch. Në momentin aktual nuk mund të thuhet nëse bëhet fjalë për vetëvrasje ose jo, deklarojnë në Drejtorinë e Sigurisë.
36-vjeçari ndodhej prej një kohe të gjatë në vuajtje të dënimit, ndërsa në burgun e Zug-ut ai kishte ardhur para një viti.