Një ditë para ndeshjes së shumëpritur në futboll ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, Policia shqiptare ka arrestuar në Tiranë, personin që ngriti dronin në stadiumin e Partizanit në Beograd, Ismail Morinën i njohur si “Ballisti”. Sipas një njoftimi lëshuar nga forcat e rendit, “Ballistit” dhe tre shtetasve të tjerë, në veturën xhip iu gjet dy pistoleta pa leje.
“Në rrugën “Petro Nini Luarasi”, efektivet e rendit gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Fuoristrade Range Rover me drejtues mjeti shtetasin Ismail Morina, i cili është arrestuar se bashku me 3 shtetas të tjerë. U konstatua dy armë zjarri, pistoleta, njëra me 6 dhe tjetra me 30 fishekë, të cilën e kishte pa leje përkatëse”, informoi Policia e Tiranës.
Arrestimi vjen vetëm një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi. Për Ismail Morinën, që njihet nga shqiptarët si Ismail Ballisti, u përfol shumë edhe në mediet shqiptare, madje ishte objekt diskutimi edhe brenda Federatës së Futbollit të Shqipërisë, që t’i lejohet apo jo hyrja në “Elbasan Arena” me 8 tetor.
Dy ditë më parë, vetë Morina sfidoi shtetin dhe Federatën Shqiptare duke u zotuar se do të jetë në Elbasan, për të parë ndeshjen e Kombëtares kundër Serbisë. Madje për të dëshmuar se do të jetë përkrah tifozëve “Kuqezi” në shkallet e “Elbasan Arenës”, “Ballisti” shfaqi edhe biletën, në tribunën ku do të vendoset.
Nga deklarata e policisë mësohet se, njëra armë ishte e fshehur në xhep, ndërsa tjetra e fshehur në automjetin e Ismail Ballistit. Morina akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa tre të arrestuarit tjerë, Erion Bahushi, Denis Balla dhe Marin Rexha akuzohen për moskallëzim krimi.