Fansat e filmit nxituan për të blerë biletat për Festivalin e Filmit në Berlin. Disa, madje, e kaluan natën në sportele, për të qenë të parët në radhë.
Edicioni i 68-të i Berlinales fillon me filmin e animuar të Wes Andersonit, “Isle of Dogs” dhe me yjet e filmit që pritet të parakalojnë në qilimin e kuq. Bryan Cranston, Bill Murray, Greta Gerwig, Tilda Swinton, Jeff Goldblum dhe Liev Schreiber pritet të marrin pjesë në natën e hapjes, përcjell albinfo.ch.
Por, disa vizitorë kanë shprehur keqardhje se festivali i këtij viti në tërësi duket se do të jetë më pak i “mbushur” me yje. Georg Kroemer, i cili kishte kaluar natën në këndin e biletave, i tha Reutersit se programi i këtij viti është më pak tërheqës.
Festivali i filmit në Berlin mbahet nga 15 deri më 25 shkurt. Rreth 400 filma do të shfaqen në seksione të ndryshme. E, juria ndërkombëtare kryesohet nga regjisori gjerman, Tom Tykwer.