Skip to content

Nis fushata kundër trafikimit me qenie njerëzore

Sipas kryeministri Hashim Thaçi, Kosova rangohet në shkallë të njëjtë me disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende anëtare të NATO-s sa i përket trafikimit me njerëz. Autoritet kosovare të mbështetura edhe nga institucionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë kanë marrë angazhime shtesë për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore. Ky fenomen i cilësuar si […]

Sipas kryeministri Hashim Thaçi, Kosova rangohet në shkallë të njëjtë me disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende anëtare të NATO-s sa i përket trafikimit me njerëz.

Autoritet kosovare të mbështetura edhe nga institucionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë kanë marrë angazhime shtesë për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore. Ky fenomen i cilësuar si “skllavëria moderne” ka marrë përmasa shqetësuese nëpër vendet e rajonit, pa përjashtuar këtu edhe Kosovën.

Që kjo çështje të eliminohet autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare e zyrtarizuan fushatën me moton “Muajin Kundër Trafikim”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinator Nacional Kundër Trafikim, Sasa Rashiq tha se trafikimi me njerëz është fenomen i karakterit global, të cilit nuk i shmanget Kosova dhe është një formë e krimit të organizuar prezent, ku prek direkt apo indirekt të gjithë shoqërinë kosovare.

“Kjo formë e krimit të organizuar në pjesën më të madhe të shoqërisë prek fëmijët dhe gratë, ku janë më së shpeshti viktima të këtij krimi të rëndë, i cili e dehumanizon dhe i shkel të drejtat elementare të njeriut dhe dinjitetin e tij”, tha Rashiq, sipas të cilit, kjo kampanjë synon të arrijë një efekt afatgjatë në vetëdijesimin dhe sensibilizimin e opinionit.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi, tha se Qeveria e Kosovës ka treguar që është e angazhuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, këtë gjë e provon edhe renditja e shtetit të Kosovës në raportin vjetor kundër trafikimit me qenie njerëzore që publikohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kosova në këtë raport, sipas Hashim Thaçit, rangohet në shkallë të njëjtë edhe me disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende anëtare të NATO-s.

“Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë këtë dukuri negative dhe të arrijnë rezultate edhe më të mëdha. Qeveria e Kosovës do të ndërmerr të gjithë hapat e duhur të reformojë policinë, legjislacionin përkatës, dhe të forcojë sundimin e ligjit, në mënyrë që të jemi më të përgatitur t’u përgjigjemi sfidave që dalin në luftimin e dukurive negative të krimit të organizuar”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson tha se institucionet e Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj në përmirësimin e situatës në luftimin kundër trafikimit. “…ka ende punë për tu bërë, hetimet më efektive nga policia dhe përmirësimi i përkujdesjes ndaj viktimave nuk kanë domethënie nëse keqbërësit nuk ndiqen penalisht dhe dënohen”, tha Jacobson.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ndërkaq tha se trafikimi me qenie njerëzore është një lloj i skllavërisë moderne, ku gjithmonë preken grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët, prandaj fushata e këtij viti në Kosovë përqendrohet drejtë fëmijëve.

“Luftimi i trafikimit me qenie njerëzore është prioritet kryesor si politik ashtu edhe i agjendës tonë për Kosovën dhe ne në punët tona i përkrahim institucionet e Kosovës dhe Koordinatorin Nacional Kundër Trafikimit në mënyrë që t’i dizajnojmë politikat dhe rregullat që janë për përmirësimin ndaj luftës së kësaj dukurie”, theksoi Zhbogar.