Është hapur mbrëmë Festivali i shtatë ndërkombëtar i Filmit i Cyrihut, FFZ. Hapjen solemne e ka bërë ministri që mbulon kulturën, Didier Burkhalter.
“Filmi është një shembull i mirë se si ekonomia dhe kultura munden të zhvillojnë së bashku ide kreative”, ka thënë ministri në fjalën e tij. Ai ka lavdëruar bashkëpunimin e mbi 80 sponsorëve me festivalin, shkruan swissinfo.ch.
Për dhjetë ditë, sa do të zgjasë festivali, në Cyrih do të shfaqen 96 filma, të cilët do të konkurrojnë për shtatë çmime.
Në natën e parë është shfaqur filmi amerikan “Contagion” i regjisorit Stefen Soderbergh. Ylli mysafir i mbrëmjes ishte aktori Laurence Fishburne, i cili luan njërin ndër rolet kryesore në këtë film. Fishburne është dhe kryetar jurie në konkurrencën për “film ndërkombëtar”.
Me çmimin kryesor për vepër jetësore është vlerësuar aktori dhe regjisori Sean Penn. Ndërkohë, po këtë çmim, por për vitin 2009, do ta marrë edhe regjisori dhe aktori i famshëm Roman Polanski. Siç dihet, në vitin 2009 ai qe arrestuar në aeroportin e Cyrihut derisa po vinte për të marrë pjesë në festivalin e këtij qyteti.