Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje, që dyshohet të jenë me origjinë shqiptare, kanë humbur jetën si pasojë e helmimit me monoksid karboni. Tragjedia ndodhi në Rughi, një zonë në provincën e Luccës, transmeton albinfo.ch.
Referuar raportimeve nga policia italiane, thuhet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, kur familja u gjet e pajetë brenda banesës, ku dyshohet se rrjedhja e gazit ka shkaktuar helmimin fatal.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa identiteti i viktimave ende nuk është bërë publik.
Alarmi u ngrit nga një i afërm i familjes, i cili, pasi nuk arriti të kontaktonte me ta, njoftoi shërbimet e emergjencës.
Ekipet e shpëtimit, ambulancat dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë në vendngjarje.
Sipas raportimeve, përveç katër viktimave, një person tjetër është gjetur në gjendje kritike dhe është dërguar për trajtim mjekësor, transmeton tutje albinfo.ch.
Mediat italiane, përfshirë Tgcom24, raportojnë se familja dyshohet të jetë me origjinë të huaj, me shumë gjasë nga Shqipëria, ndërsa hetimet vazhdojnë për të konfirmuar identitetin dhe shkaqet e sakta të tragjedisë./Albinfo.ch