Personat që kanë të ardhura më të larta duhet të paguajnë përpjesëtimisht më shumë se deri më tash për fondin e papunësisë (ALV). Kjo do të fillojë të zbatohet duke filluar nga viti i ri që është në prag. Si bazë për të bërë përllogaritjen e kontributit për ALV me të renë do të merret paga e plotë, pavarësisht nga lartësia.
Deri më tash, nga pagat që kanë kaluar mbi 315.000 franga në vit nuk janë paguar para shtesë për fondin e papunësisë. Këtë pagesë, personat që kanë fituar mbi këtë shumë kanë mundur ta bëjnë vetëm vullnetarisht, në fondin e ashtuquajtur të solidaritetit.
Kjo mënyrë e re e pagesës së kontributeve është vendosur për shkak të borxheve të cilat i ka fondi i papunësisë, i cili ka nevojë urgjente për tu sanuar, shkruan nzz.ch.
Në fund të nëntorit ALV kishte 4.4 miliardë franga borxhe. Qeveria Federale shpreson se me llogaritjen e re, fondi ALV do të përfitojë rreth 100 milionë franga shtesë në vit.