Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga e enjtja do të hapet fushata për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave, përcjell albinfo.ch.
“Aktiviteti i parë do të mbahet në Prishtinë, për të vijuar më tej në krejt Kosovën”.
“Ju ftojmë të na bashkoheni në këtë ngjarje e të informoheni së afërmi mbi lëvizjen e lirë pa viza që do të nisë nga 1 janari”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në Facebook.
Nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.
Pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra, si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.