Më 1 korrik, të gjithë shtetasit e vendeve anëtare të BE-së do të kenë mundësinë të udhëtojnë nëpër bllok më shpejt dhe më të sigurt me anë të certifikatës digjitale.
Kjo e fundit ka një dizajn të përbashkët dhe që mund të përdoret në versionin elektronik dhe të printuar.
“Certifikata digjitale evropiane, e cila ishte një sugjerim i kryeministrit grek, është diçka që të gjithë ministrat evropianë në kabinetin e fundit në Luksemburg po përpiqeshin ta çonin më tej. Ne e kuptojmë, është një domosdoshmëri dhe një arritje e madhe të biesh dakord mbi këtë qëllim të përbashkët që do të ndihmojë çdo qytetar evropian të lëvizë mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ministri grek i Shëndetësisë, Vasilis Kikilias.
Ky dokument u propozua për herë të parë në mars nga kryeministri grek, Mitsotakis. Udhëheqësit e BE-së shpresojnë se ky dokument do të nxisë turizmin në të gjithë Evropën, por aeroportet e mëdha dhe linjat ajrore kanë frikë nga kaosi dhe radhët e gjata.
Certifikata digjitale e COVID është një provë, përmes një kodi, i cili dëshmon nëse një person është vaksinuar, ka një test negativ apo është shëruar.
Ata që kanë një certifikatë të tillë, do të përjashtohen nga kufizimet e lëvizjes së lirë, përveç nëse ato zbatohen për arsye sigurie./Euronews