Këngëtarja shqiptare e muzikës jazz, Elina Duni, nuk ka arritur të vazhdojë mbrëmë turneun promovues për albumin e saj të tretë “Matanë malit” në New York të SHBA-së si pasojë e stuhisë „Sandy“.
Koncerti ishte anuluar, ndërsa në faqen në Facebook të “Elina Duni Quartet”, krahas anulimit shkruan “Qëndro i fortë, New York”.
“Elina Duni Quartet” ka realizuar një sërë koncertesh në Evropë, për të vazhduar në SHBA, ku gjatë fundjavës ka performuar në Baltimore.
Albumi më i ri i këngëtares së jazzit dhe kompozitores me origjinë shqiptare që jeton në Zvicër vjen pas dy albumeve, “Baresha” (2008) dhe “Lume Lume” (2010).
“Matanë malit” është një prodhim i ECM/Universal, një homazh për Shqipërinë.
Prezantimi po bëhet me disa koncerte që kanë filluar prej 16 tetorit nëpër Evropë dhe SHBA.