Dy ditë iu kanë dukur sa dy vjet diplomatit të parë kosovar, Lulzim Peci për të qëndruar në Beograd. Si zyrtari i parë ndërlidhës i Republikës së Kosovës në Serbi. Peci sot ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga ky post, i pakënaqur me shefin e qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.
Dorëheqjen e tij Peci ia ka ofruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke i treguar edhe arsyen pse po e braktisë këtë mision dy ditë pas emërimit të tij si zyrtar ndërlidhës.
Në letrën dërguar Presidentes, Peci ka thënë se dorëheqja pason mospajtimin dhe kritikat që i janë bërë nga kryeministri Thaçi, në lidhje me deklaratën e tij në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e vendit tonë.
“Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tonë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por siç po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Peci.
Në fund të letrës, Peci ka falënderuar presidenten Jahjaga dhe ish- presidentin Sejdiu për besimin që i kanë dhënë për udhëheqjen e misioneve diplomatike të shtetit tonë në Stockholm dhe Beograd.
Lulzim Peci, ish-ambasador i Kosovës në Stokholm, të hënën është emëruar përfaqësues i Kosovës në Beograd, ndërsa sipas marrëveshjes, në Prishtinë është akredituar Dejan Paviçeviq. Qeveria akoma nuk është deklaruar për dorëheqjen e Pecit.