Një aksident që ka ndodhur të shtunën në Martigny të kantonit Valis, ka qenë fatal për një çift rus. Dy fëmijët e tyre kanë shpëtuar, me lëndime të rënda, njofton Policia Kantonale. Mendohet se makina e çiftit ka rrëshqitur nga rruga për shkak të borës që kishte mbuluar rrugën.
Ngasësi i makinës, një burrë 36 vjeçar, kishte dashur të ndalonte në një vend pushimi skaj rrugës, ka konstatuar policia. Por duke e bërë këtë veprim, makina ka rrëshqitur nga rruga. Pasi është rrotulluar disa herë, ajo është ndalur rreth 225 metra larg nga vendi i rrëshqitjes. Kryefamiljari ka qenë i vdekur në kohën kur kanë ardhur forcat e shpëtimit ndërsa e shoqja, 37 vjeçare, ka vdekur më vonë në spitalin e Sitten-it.
Fëmijët, një vajzë 15 dhe një djalë 11 vjeç janë transportuar me helikopter në spital në Sitten dhe prej aty në Inselspital të Bernës. Ata janë jashtë rrezikut për jetën.
(Foto: Kapo Walis)