Mësohet se në fundjavën që shkoi u mbajt aktiviteti dyditor “Takimet e Nëntorit”, nën organizimin e shkëlqyer të shoqatës “Abeja” nga Moosburg, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë – LKSHM dhe Klubit Letrar “Martin Camaj”, shkruan albinfo.ch.
Vlen të theksohet se aktiviteti u mbajt në dy ditë dhe filloi me “Orë Letrare”, pasi që iu përkushtua krijuesve të shumtë nga mërgata dhe veprave të tyre të mrekullueshme dhe me shumë vlerë për letërsinë dhe historinë tonë.
Ndërsa në ditën e dytë u mbajt manifestimi tanimë tradicional “Darka e Lamës”, me ç’rast përmes ambientit tradicional, ushqimit, lojërave të ndryshme, pritjes dhe përcjelljes së musafirëve, valleve e muzikës sonë të bukur, patjetër me veshjet tradicionale dhe para së gjithash me vendosjen e plisit, u prezentua tradita, zakonet dhe identiteti ynë i lashtë.

Përveç pjesëmarrjes së historianes dhe studiueses së njohur, znj. Prof. Elena Kocaqi, në këto manifestime ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të ndryshme të diasporës sonë nga mbarë Evropa.

Përmes një postimi, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih shkruan se diaspora jonë nga Kosova dëshmoi që tradita, zakonet, rrënjët dhe identiteti ynë janë vlerë dhe thesar i çmuar kombëtar.

Ndërsa ruajtja dhe mbajtja e këtyre vlerave është obligim mbarëkombëtar.


