Nuk ishte vetëm “Life Ball” dhe as “Fashion For Europa” ato që tërheqin vëmendjen e mediave të huaja, një ide kreative ka prodhuar lajm botëror.
Në 120 semaforë të këmbësorëve në rrugët e Vjenës janë vendosur drita me simbole të çifteve të gjinisë së njëjtë. E gjithë kjo ka të bëjë me sensibilizimin e këtyre personave.
“Me simbolet e reja në semaforë ne kemi tërhequr vëmendjen e turistëve dhe mediave botërore, por edhe parandalimin e aksidenteve”, ka thënë për mediat austriake Maria Vassilakou, këshilltare për qytetin e Vjenës nga Partia e Gjelbër, njofton albinfo.ch.
Edhe pse ka pasur kundërshtime për largimin këtyre semaforëve, megjithatë është vendosur që këta të qëndrojnë edhe pas përfundimit të Eurovizionit. “Semaforët e çifteve të gjinisë së njëjtë do të qëndrojnë edhe pas Eurovizionit. Këta semaforë tashmë janë bërë lajm botëror dhe askush nuk e ka pritur këtë gjë”, ka thënë ajo.
Mësohet se një ide të tillë tashmë e ka kopjuar edhe qyteti i Munihit në Gjermani.