Ukraina ka përjashtuar mundësinë se mund të ketë ndonjë lidhje me sulmin në Moskë, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur të paktën 133 persona.
Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës, një këshilltar presidencial dhe agjencia e inteligjencës ushtarake thonë kategorikisht se Ukraina nuk ishte e përfshirë – dhe se lufta e saj me Rusinë është në fushën e betejës, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportimeve nga BBC, shërbimi rus i sigurisë FSB ka thënë se sulmuesit e Moskës u kapën gjatë rrugës për në Ukrainë dhe se ata kishin kontakte nga ana tjetër duke i mbështetur ata. Por një përfaqësues i inteligjencës në Ukrainë, e ka quajtur “absurde” idenë që personat e armatosur do të shkonin drejt kufirit ukrainas.
Përfaqësuesi i inteligjencës ukrainase të mbrojtjes, Andriy Yusov, ka thënë se zona është plot me shërbime ushtarake dhe të sigurisë ruse.
“Çdo terrorist që ikën nga skena e një sulmi duhet të jetë budalla ose vetëvrasës – ose dëshiron të kapet”, ka deklaruar Yusov.
Ndryshe, në Kiev është rritur frika se Rusia do të përdorë sulmin për të përshkallëzuar agresionin e saj kundër Ukrainës edhe më tej, se fajësimi i Kievit, me aleatët e tij perëndimorë, do të jetë një mënyrë për të mbledhur mbështetjen për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe pushtimin e tij në shkallë të plotë – dhe për të mobilizuar më shumë ushtarët rusë për luftën.