Ndryshe nga shumica në Dhomën Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, në dhomën tjetër, në atë të kantoneve (senat) ka më shumë zëra kritikë nga pjesëtarët e partive të djathta lidhur me ashpërsimin e Ligjit për Azilin.
Duhet theksuar se, për tu bërë i plotfuqishëm ligji i reviduar, duhet të kalojë për votim në Dhomën e kantoneve.
Kështu, shefi i grupit parlamentar të CVP-PDC-së Urs Schwaller ka reaguar ashpër kundër vendimit që azilkërkuesve tu mohohet e drejta për ndihmë sociale. Ai ka thënë për gazetën “Sonntag” se Dhoma Nacionale me ashpërismin e bërë po synon të shkaktojë frikë. Kjo që ka bërë dhoma në fjalë është më shumë ekonomizim i problemit se sa zgjidhje e problemit”.
Schwaller kërkon që në vend të të gjitha këtyre masave restriktive të bëhet vetëm shkurtimi i procedurave të azilit.
Edhe deputetja liberale e gjelbër (GLP) Verena Diener ka qëndrim kritik ndaj ashpërsimit të ligjit mbi azilin. “Tashti është detyrë e Dhomës së kantoneve që temën populiste të azilit ta shqyrtojë në mënyrë të arsyeshme”, ka thënë ajo.