Në një manifestim kulturor në Linz të Austrisë u përurua libri „Gjuha shqipe 5“, i autorit dhe mësuesit shqiptar në Austri, Izri Rexha. Libri do të përdoret për nxënësit nga klasa e pestë deri në të shtatën.
Të pranishmit në përurim librin e vlerësuan si një mundësi më shumë për të mësuar gjuhën shqipe në kuadër të shkollës si dhe një tekst mjaft të përshtatshëm për mësimin në diasporë.
Vlerësimin kritik për librin e mbajti publicisti dhe mësuesi i gjuhës shqipe në Austri, z.Ismet Sinani, i cili pasi foli për biografinë e autorit, e vlerësoi këtë libër mjfat praktik si me shtjellimin e tematikave, ashtu edhe në përpunimin e çdo njësie mësimore.
Autori Izri Rexha foli për botimin e librit, kualitetin e shtypit, vështirësitë gjatë botimit si dhe mundësitë e aplikimit të këtij teksti shkollor në praktikë.
Po ashtu edhe mësuesja Qefsere Beslimi Demaj e vlerësoi tekstin si një ndihmesë në mësimin e kësaj lënde mësimore që është shumë e rëndësishme, siç tha ajo, „për ruajtjen e etnitetit tonë“.
Në anën tjetër, publicisti z. Ramiz Selimi referoi një fjalim për mundësitë që ky tekst të hyjë në kuadër të teksteve në Austri.
I pranishëm në këtë përurim ishte edhe Miftar Zagragja, një aktivist i palodhshëm i çështjes kombëtare.
Pas përurimit, në një debat të hapur ishin të gjithë të mendimit se kultura e një shteti varet nga lexueshmëria dhe dituria e qytetarëve të vet, dhe se çdo vepër është një përparim për kombin.

