Gjatë pesë muajve të deritashëm të këtij viti (janar-maj 2019), në Kosovë, në aksidente të rënda trafiku në cilësinë e shoferëve, pasagjerëve dhe këmbësorëve kanë vdekur 35 persona. Nga 5217 aksidente sa ndodhën në total gjatë kësaj kohe, janë lënduar 3569 persona, raporton Gazeta Express.
Sa u përket aksidenteve me fatalitet, ka më pak viktima këtë vit krahasuar me pesëmujorin e parë të 2018-ës. Vjet për pesë muaj vdiqën në komunikacion 42 persona, këtë vit 35, apo 7 më pak, tha policia në statistikat dhënë Gazetës Express.
Për shkelësit e rregullave të komunikacionit policia ka shqiptuar mbi 170 300 tiketa trafiku.
Në statistikat e Policisë së Kosovë bëhet e ditur se gjatë periudhës janar-maj 2019 kanë ndodhur 29 aksidente fatale, në të cilat jetën e kanë humbur 35 persona. 1924 aksidente me lëndime, në të cilat lëndime trupore kanë pësuar 3569 persona dhe 3264 aksidente me dëme materiale. “Në total kanë ndodhur 5217 aksidente”.