Rreth 1500 persona janë të prekur nga sindromi Down në Shqipëri e Kosovë, ndërsa shërbimi për këta personat ende mbetet sfidë në të dy shtetet. Kështu u tha sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të prekurve me Down Syndrome, me moton “Më përkrah sot, që nesër të jem i pavarur”.
Në Kosovë shënimi i kësaj dite po bëhet edhe nga shoqata Down Syndrome Kosova (DSK), ku në Teatrin Kombëtar u shfaq një film i shkurtër dokumentar, i cili paraqet aktivitetet dhe punën e kësaj shoqate dhe të prekurve nga ky sindrom, të cilët janë pjesë e kësaj shoqate.
Sebahate Hajdini-Beqiri është drejtoreshë e shoqatës Down Syndrome Kosova. Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe shoqërisë për më shumë kujdes për këtë kategori.
“Që nga themelimi e deri më sot jemi përkushtuar për jetë të pavarur për personat e prekur me Down Syndrome. Për ne ende mbetet sfidë shërbimi për personat me Down Syndrome. Ne sot bëjmë thirrje te institucionet dhe shoqëria për mundësi për komunitetin e Down Syndrome të cilat janë të garantuara me Kushtetutë”, tha Hajdini-Beqiri, citon KP.
Ndërsa zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj përmendi se në Kosovë janë 870 persona të prekur me Down Syndrome, duke shtuar se në kuadër të skemave të kësaj Ministrie familjet e këtyre personave për çdo muaj ndihmohen me nga 100 euro.
Edhe në Shqipëri është shënuar 21 marsi Dita Botërore të Sindromës Down me moton: “Miqtë e mi, komuniteti im”- është slogani i fushatës së këtij 21 Marsi.
Të dhënat tregojnë se në nivel global 1 në 800 lindje të gjalla rezulton me sindromën Down. Në Shqipëri jetojnë rreth 684 individë me sindromën Down