Përfaqësitë diplomatike të Shqipëri në Itali kanë bërë thirrje për aplikime për pajisjen me tekste shkollore për vitin mësimor 2026–2027, të dedikuara për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, shkruan albinfo.ch.
Në këtë proces janë ftuar të aplikojnë mësuesit e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në Itali, si dhe shoqatat dhe organizatat shqiptare që zhvillojnë kurse në gjuhën shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar.
Sipas njoftimit, kjo nismë synon të mbështesë procesin e mësimdhënies dhe të forcojë ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e mësuesve që kontribuojnë në edukimin e brezave të rinj.
Tekstet shkollore janë të ndara në tri kategori sipas niveleve të mësimit:
• Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare – Niveli I (klasat 1–3)
• Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare – Niveli II (klasat 4–6)
• Gjuha shqipe dhe Kultura shqiptare – Niveli III (klasat 7–9)
Autoritetet bëjnë të ditur se kërkesat duhet të dërgohen deri më 20 mars 2026 në adresat zyrtare të e-mailit të përfaqësive diplomatike shqiptare në Milano, Romë ose Bari, në varësi të rajonit ku zhvillohet aktiviteti mësimor./Albinfo.ch.