Ne në Gjermani kemi dhënë një impuls të rëndësishëm që po zhvillohet edhe më tej, thotë Sylvia Schenk nga Transparency International në Gjermani. Juristja dhe ish-atlete ka qenë gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit për meshkuj më 2024 bashkë me përfaqësuese dhe përfaqësues të tjerë të organizatave joqeveritare në këshillin për të drejtat e njeriut të UEFA-s. Ky forum është kujdesur gjatë kampionatit për ankesat lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut, raporton DW, transmeton albinfo.ch.
UEFA, Federata Gjermane e Futbollit, qeveria gjermane dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse si dhe dhjetë qytetet ku u zhvilluan ndeshjet, u angazhuan që gjatë Kampionatit Evropian të ishte në plan të parë demokracia, respekti, barazia si dhe zhvillimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Ky ishte vetëm një fillim, konkludon Schenk në bisedë për DW. Por ishte e rëndësishme. Ne prej vitesh kemi luftuar për këtë.
Angazhimi gjatë kampionatit të meshkujve do të shërbejë si model për Kampionatin Evropian të Futbollit për gra, që zhvillohet nga 2 deri më 27 korrik në Zvicër. Edhe qeveria zvicerane, si dhe qeveritë e vendeve pjesëmarrëse në kampionat dhe institucionet e shoqatat e ndryshme, në mars të kaluar (2024) nënshkruan një deklaratë ku angazhohen për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht për diversitetin, barazinë dhe inkluzionin në dhe përmes sportit, sikurse u shpreh ministrja zvicerane e Sportit, Viola Amherd.
Edhe për kampionatin për gra është krijuar një këshill i të drejtave të njeriut nga organizatat joqeveritare me seli në Centre for Sport and Human Rights.
Personat përgjegjës i janë drejtuar këshillit sa herë që është vlerësuar se të drejtat e njeriut janë në rrezik gjatë Kampionatit Evropian, thotë Lisa Salza, përgjegjëse për të drejtat e njeriut pranë Amnesty zvicerane. Edhe pse disa masa nuk janë aq të mëdha sa do të dëshirohej, kjo nismë është hapi i duhur në drejtimin e duhur, thotë Salza për DW. Është e rëndësishme që gjatë këtij kampionati të respektohen rregullat e sjelljes në stadium si dhe në pikat nevralgjike të francezëve, sikurse janë stacionet e trenit. Zero tolerancë për diskriminim, racizëm dhe dhunë seksuale.
Kush ndihet i kërcënuar dhe i diskriminuar në stadiume mund të skanojë një kod QR, i cili është i dukshëm qartazi në pllakata. Pastaj tifozi apo tifozja e prekur merr menjëherë ndihmën nga ekipet e ashtuquajtura Awareness-Teams.
Ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut mund të komunikohen edhe përmes aplikacionit të kampionatit ose të UEFA-s. Një instancë e pavarur juridike i vlerëson ankesat dhe i përcjell ato më tej, nëse e konsideron të nevojshme, tek instancat përgjegjëse.
Gjatë kampionatit për meshkuj më 2024 ka qenë përgjegjëse një zyrë avokatie në Frankfurt. Ajo shqyrtoi gati 400 ankesa. Shumica e rasteve kishin të bënin me qëndrime politike, deklarata nacionaliste, gjeste apo simbole që përdornin tifozeritë. Vetëm pak raste janë kallëzuar për ngacmime seksuale dhe diskriminim racor.
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe lufta kundër Cybermobbing. Gjatë Euro 2024 në Gjermani janë mbikëqyrur rreth 700 llogari në rrjete sociale të lojtarëve, trajnerëve dhe arbitrave. Sipas UEFA-s vetëm në fazën e ndeshjeve në grupe janë evidentuar 666 postime me përmbajtje ofenduese. Në tre nga katër raste, postimet ishin drejtuar kundër lojtarëve, në mbi 90 përqind të rasteve në formën e gjuhës së urrejtjes.