Një person ka gjetur në mëngjesin e të shtunës në oborrin e një deponie në Därstetten të kantonit të Bernës një foshnjë të porsalindur. Ajo ishte vendosur në një kuti kartoni. Vajza e cila kishte pësuar ngrirje, u dërgua me helikopter në spital, në gjendje kritike, njoftojnë sot të gjitha mediat zvicerane.
Ky lajm u bë i ditur të shtunën pasdite nga policia e kantonit të Bernës dhe prokurori publik përgjegjës, transmeton albinfo.ch. Policia ka nisur një hetim për të sqaruar prejardhjen dhe identitetin e fëmijës. Ajo supozon se vajza, menjëherë pas lindjes, është vendosur në një hapësirë të arritshme për publikun. Po ashtu një zëdhënës i policisë ka thënë për mediat se deponia është e hapur çdo ditë, përcjell albinfo.ch.
“Ndoshta personi që e ka lënë këtu foshnjën ka shpresuar se ajo do të gjendet shpejt, pasi që e shtuna është ditë kur në këtë deponi hidhen mbeturinat.
Policia është duke kërkuar dëshmitarë. Ajo gjithashtu lut të afërmit e fëmijës – veçanërisht nënën, që të paraqiten.