Është pezulluar greva e punëtorëve të administratës së gjykatave e prokurorive.
Në ditën e gjashtë, përfaqësuesit e punëtorëve nga prokuroritë e gjykatat, kanë pasur takim me krerë të KGJK-së, KPK-së si dhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, takim nga i cili kanë dalë me pajtim për pezullim të grevës.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Judikaturës, Asllan Rusinovci, punëtorët kanë marrë zotimin nga KPK-ja, KGJK-ja dhe ministri Tahiri se kërkesat e tyre do të realizohen.
Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi, nuk ka bërë të ditur nëse ka një afat për realizimin e kërkesave të punëtorëve, por ka thënë se disa prej veprimeve drejt realizimit të kërkesave, do të fillojnë pas dy javësh.
Gjithashtu, i pyetur për mundësitë për rritjen e pagave për 100%, ai ka thënë se do të veprojnë brenda mundësive.
Rreth dymijë punëtorë të administratës, kanë qenë në grevë që nga 4 korriku, me kërkesë kryesore ngritjen e pagave për 100 %.