Po vazhdojnë përplasjet në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate për Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë.
Sipas anëtarit të PSD-së, Dren Kukaj, njëherësh aksionar në NPB, ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Hajdar Hoxha, i është ndaluar hyrja në ndërmarrje, mëngjesin e së hënës.
“Sot, ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Hajdar Hoxha, i është ndaluar hyrja në Ndërmarrjen Publike Banesore. Kjo ngjau për shkak se aktivistë të punësuar të VV-së në këtë ndërmarrje ishin organizuar t’ia garantojnë qëndrimin e jashtëligjshëm Nexhat Kryeziut. Çuditërisht, atyre në ndihmë u erdhi edhe Policia e Kosovës”, ka shkruar ai.
Por, Kukajt i është përgjigjur aksionari tjetër në këtë ndërmarrje – asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi.
Ai ka akuzuar Kukajn për falsifikim dokumentesh dhe tentim të “okupimit” të NPB-së me sigurim privat rreth orës 5 të mëngjesit.
Sipas Azemit, Shpend Ahmeti po dëshiron që miqtë e tij ta kenë nën kontroll ndërmarrjen, për ta vënë atë në shërbim të interesave të tyre, e jo qytetarëve.