Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi të martën për dy raste që kanë të bëjnë me bartjen e shamisë në vendin e punë nga një inxhiniere në Francë dhe një recepsioniste në Belgjikë.. Aktgjykimi bazohet në direktivën kundër diskriminimit dhe trajtimit të barabartë të BE-së 2000/78.
“Rregulli i brendshëm i një ndërmarrjeje për të ndaluar ndonjë shenjë politike, filozofike ose fetare nuk përbën diskriminim të drejtpërdrejtë.” tha gjykata, përcjell albinfo.ch
“Megjithatë, në mungesë të një rregulli të tillë, vullneti i punëdhënësit për të marrë parasysh dëshirat e klientëve në të ardhmen që nuk dëshirojnë të marrin shërbime nga një punonjëse që vesh shaminë islame, nuk mund të konsiderohet si një kusht pune, i cili përjashton diskriminimin.”, shtoi gjykata.
Vendimi i gjykatës së Luksemburgut vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare në Holandë, ku migracioni është një temë kryesore.
Avokatët-këshilltarë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë shprehën mendime të ndryshme për të interpretuar direktivën dhe vendimet e mëparshme të gjykatave të apelit në Francë dhe Belgjikë.