NATO ka miratuar dërgimin e trupave shtesë në veri të Kosovës për shkak të rritjes së tensioneve.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë aleanca përmes një komunikate për media, ndërsa i është bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shtensionojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti ynë t’i ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm, në mënyrë që KFOR-i ta përmbushë mandatin e tij”, thuhet në deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përcjell albinfo.ch.
Në njoftim thuhet se gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
“Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në njoftim ndërsa theksohet se NATO-ja është në koordinim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara në Prishtinë e Beograd.