Një nga mediumet më të mëdha në botë mbi udhëtimet dhe natyrën, “National Geographic”, në kuadër të rubrikës së saj të përjavshme “E vogël bota e madhe”, këtë herë ia ka kushtuar Kosovës, shkruan albinfo.ch.
Për këtë javë ajo u sugjeron lexuesve të saj që ta vizitojnë Kosovën. Në videon tre minutash janë të përfshira xhirimet e kthyera në një formë miniature (kaleidoscop) të disa vendeve në Kosovë.
Xhirimet janë bërë në Prizren, Brod, Ujëvarën e Mirushës, Pejën e Grykën e Rugovës. Krahas videos është dhënë edhe një përshkrim i shkurtër.
“Kosova mund të mos jetë në listën e udhëtimit për shumë njerëz. Lufta në Kosovë duket disi ende jo e largët dhe mungesa e plazheve e shndërron këtë vend në një zonë të bardhë në hartën e udhëtimit. Megjithatë, nëse ju shkoni atje, do të jeni të habitur nga bukuria e jashtëzakonshme e vendit, gjallëria e jetës së qytetit dhe njerëzit miqësorë”, thuhet në këtë përshkrim.