Hungaria ka nisur ndërtimin e murit në kufirin me Serbinë.
Bëhet fjalë për një mur të lartë, me tel me gjemba që po vihet në 175 kilometrat që ndajnë Hungarinë me Serbinë.
Për ndërtimin e murit do të punojnë rreth 900 punëtorë dhe që parashikohet të përfundojë më datë 30 nëntor.
Qeveria e Hungarisë thotë se me ndërtimin e kësaj pengese po mbron Bashkimin Evropian dhe kufijtë e saj, pas të dhënave se mbi 70.000 emigrantë kanë hyrë ilegalisht në Hungari vetëm gjatë këtij viti dhe 43 mijë vitin e kaluar.
Përfaqësues të shoqërisë civile e kanë konsideruar ngritjen e murit një akt imoral nga ana e qeverisë, e cila duhet të ndihmojë emigrantët që ikin nga vendet e konflikteve dhe jo t’i dëbojë ata në këtë mënyrë.
Muri hungarez, i cili shpesh krahasohet me murin e Berlinit, është kritikuar ashpër edhe nga krerët e Bashkimit Evropian.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka quajtur iniciativën absurde.