Moti i ligë dhe me erëra të fuqishme dhe stuhi, i paralajmëruar me kohë, ka depërtuar natën e kaluar në territorin e Zvicrës. Stuhia që mban emrin Joachim, mund të shkaktojë edhe dëme të mëdha, tërheq vërejtjen SF Meteo.
Në disa kantone, para së gjithash në pjesën veriperëndimore të vendit tashmë është bërë e ditur për dhjetëra raste të dëmtimeve të shkaktuara nga stuhia.
Në Jurën e Bernës, një tren ka hasur në një trung të rrëzuar dhe me këtë rast janë lënduar së paku tre persona, njofton drs.ch.
Si pasojë e stuhive të fuqishme, Aeroporti i Cyrihut ka anuluar deri në kohën e drekës 22 fluturime. Bëhet fjalë për fluturimet në drejtimin prej nga vjen stuhia.
Po kështu në Alpe është ndërprerë qarkullimi në shumë hekurudha malore.