Një operacion i madh kërkimi është duke u zhvilluar në Alpet zvicerane për të gjetur gjashtë skiatorë që janë zhdukur që nga e shtuna.
Policia zvicerane ka njoftuar se kushtet e këqija atmosferike po e vështirësojnë kërkimin, shkruan albinfo.ch.
Gjashtë personat “po kërkohen aktivisht në rrugën e ecjes Zermatt-Arolla” në kantonin jugperëndimor të Valais, tha policia kantonale në një deklaratë të dielën.
Grupi u nis nga Zermatt të shtunën dhe që atëherë janë zhdukur në rajonin Tête Blanche, përcjell swissinfo.
“Sapo u njoftua se ata ishin të zhdukur, të gjitha shërbimet e shpëtimit u alarmuan në të dy anët e itinerarit dhe u vendosën një numër i madh burimesh teknike për lokalizimin e alpinistëve”, thuhet në njoftim.
Tutje u bë e ditur se kushtet e motit janë aktualisht shumë të këqija, duke i bërë operacionet e shpëtimit shumë delikate.