Mbi 500 punëtorët shëndetësorë kosovarë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Kukës, janë ftuar që nga kjo e hënë të paraqiten në sallën “1 Tetori” në Prishtinë për të injektuar dozën e dytë, transmeton albinfo.ch.
Thuhet se të imunizuarit me “AstraZeneca” do të bëhen kosovarët e parë që “do të sigurohen” me dozën e dytë, njofton Klan Kosova.
Po ashtu, mjekët thonë se ky është lehtësim për ata, teksa janë falënderues si për shtetin kosovar, aq edhe për atë shqiptar.
Kreu i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka njoftuar se vaksinimi i dytë për stafin mjekësor do të fillojë në orën 12:30, ndërsa do t’i mbrojë edhe nga versioni i ri indian i virusit.
Imunizimi me kurën britanike, sipas Sylës, do të bëhet sipas rendit nga vaksinimi i parë.