Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka mirëpritur futbollistin e ri, Arton Zekaj, pjesë e klubit francez, Lille, i cili ditë më parë është pajisur me pasaportë të Kosovës dhe do të jetë pjesë e Kombëtares U21.
Të pranishëm në takim ishte edhe babai i futbollistit, Din Zekaj, si dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe menaxheri i ekipit kombëtar U21, Zgjim Sojeva.
Babai i futbollistit tha se u është mirënjohës atyre që e kanë ngritur në këtë nivel Artonin.
“Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar dhe që e kanë ngritur në këtë nivel Artonin, por edhe menaxherit Milan Kesiç, i cili na ka përkrahur që ta realizojmë dëshirën që Artoni të luajë për Kosovën. Kjo pa dyshim do t’i ndihmojë të rritet edhe më tutje profesionalisht”, ka thënë babai i futbollistit, përcjell albinfo.ch.
Presidenti Ademi tutje ka thënë se paraqitjet e mira të ekipit kombëtar kanë bërë jehonë kudo dhe Kosova po vlerësohet si storie e suksesit, derisa edhe përkrahja e popullit dhe e institucioneve është maksimale. E kjo ka ndikuar edhe te futbollistët shqiptarë kudo që janë që të kenë dëshirë të madhe për ta përfaqësuar vendin e origjinës së tyre.