Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë plotësim-ndryshimin e ligjit për liritë fetare në Kosovë që është i domosdoshëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Me këtë projektligj do të ketë 6 bashkësi fetare në Kosovë.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare, Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante dhe Bashkësia e Hebrenjve, ndërsa tash i shtohet edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës.
Kryeministri ka propozuar që të hiqet kuota që ishte e paraparë me ligjin e vjetër për regjistrimin e një bashkësie fetare prej 50 anëtarësh, po nuk ka treguar se sa do të jetë numri tash. Gjithashtu, ai ka propozuar që të hiqet neni për financim. Ndërkohë, Vjosa Osmani e LDK-së ka kërkuar që kryeministri ta sqarojë këtë çështje.
“Me këtë propozim të kryeministrit dikush tash ka të drejtë edhe me 5 persona ta regjistrojë një bashkësi. Le ta qartësojë kryeministri se sa po mbetet numri”, ka thënë Osmani. Ndërkohë, bashkë-partiaku i Osmanit, Kujtim Shala, që në mandatin e kaluar ishte ministër i Kulturës, ka thënë se po habitet se si në Kuvend po diskutohet një projektligj që për dy herë radhazi në mandatin e kaluar ishte refuzuar, e tash i njëjti po diskutohet si tekst i ri.
Glauk Konjufca i Vetëvendosjes ka thënë se nuk është mirë që Kosova nuk është mirë të miratojë një ligj kaq të rëndësishëm, e pastaj të ketë reagimin e bashkësive fetare.