Është miratuar sot në Dhomën e Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës Ligji i ri për të huajt dhe integrimin. Pas një debati në mes të forcave politike të përfaqësuara në këtë dhomë, ligji i ri i miratuar me shumicë votash (24 pro, 7 kundër dhe 4 të përmbajtur) parasheh ashpërsim të kritereve për ndarjen e Lejes së përkohshme (B) dhe të përhershme (C) të qëndrimit për të huajt.
Me ligjin e ri, dhënia e këtyre lejeve do të lidhet me kushtëzime të ndryshme dhe do të rritet mundësia që, të huajve të cilët nuk u përmbahen kushteve në fjalë, t`u merret leja e dhënë më parë, njofton srf.ch.
Po ashtu edhe autoritetet shtetërore do të detyrohen që të ndjekin më mirë dhe në mënyrë sistematike shkallën e integrimit të të huajve që kanë marrë lejen e qëndrimit në Zvicër.
Në seancën e sotme nuk ka kaluar propozimi i Qeverisë Federale që leja e përhershme e qëndrimit (Viza C) të garantohet me ligj për personat e integruar me sukses.
Duke folur për ligjin e ri, ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga ka thënë se ai nuk do të jetë vetëm “i shkruar në letër” por se për zbatimin e tij do të marrin obligime të gjitha palët.
————————