Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në një deklarim të saj sot ka thënë se tre nga policët të cilët janë angazhuar mbrëmë pas sulmit terrorist në Vjenë, janë shqiptarë.
”Mbrëmë ka ndodhur diçka e tmerrshme në Vjenë. Tre policë që u angazhuan në aksionin e mbrëmshëm janë me prejardhje shqiptare.
Ata ndihmuan austriakët që t`i mbrojnë vlerat e tyre themelore, të cilat ne i ndajmë me popullin e Austrisë”, ka thënë kryediplomatja kosovare, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Gjermani.
Ajo ka shtuar se Kosova qëndron fuqishëm kundër terrorizmit, duke treguar se vendi ynë është pjesë e Koalicionit botëror në luftë kundër ISIS-it.
”Kjo tregon se sa mirë janë të integruar shqiptarët. Kosova qëndron fort kundër terrorizmit dhe ne jemi pjesë e Koalicionit botëror në luftë kundër ISIS-it”, tha Haradinaj-Stublla.