Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është duke qëndruar për vizitë në Austri. Së fundmi ajo është takuar me ministren austriake për Evropë dhe Kushtetutë, Karoline Edtstadler.
Kjo e fundit gjatë takimit u shpreh se dialogu Kosovë-Serbi është krucial jo vetëm për stabilitetin në rajon, por gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Shkëmbime të shkëlqyera me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla. Dialogu Prishtinë-Beograd është krucial jo vetëm për stabilitetin në rajon, por gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Edtstadler në Twitter.
Edtstadler ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku tha se Kosova është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor që përballet me regjim të vizave.
“Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret për liberalizimin e vizave dhe Parlamenti i BE-së është shprehur vazhdimisht në favor të liberalizimit të vizave. Është koha që përfundimisht të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën”, shkroi ajo.