Nga data 5-8 shkurt 2017, një delegacion i kryesuar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi një vizitë pune në Zvicër me ftesë të SDC/Helvetas Swiss Intercooperation. Kjo vizitë ishte në kuadër të Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal.
Delegacioni zhvilloi takime me Krystyna Marty, Zëvendëssekretare Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Andreas Gerrits, Zëvendës Shef i Divizionit të Ballkanit Perëndimor, Elisabeth von Capeller, Ndihmës Drejtore e Përgjithshme e SCD, profesorë të universiteteve, ekspertë për Decentralizimin Fiskal, etj. Delegacioni zhvilloi takime edhe në Ministrinë e Drejtësisë, Parlament etj.
Gjatë takimeve dhe seminareve të ndryshme, pjesëmarrësit diskutuan për tiparet kryesore të sistemit politik zviceran; karakteristikat kryesore të decentralizimit fiskal zviceran; qasjet e autoriteteve zvicerane për të sanksionuar dhe parandaluar korrupsionin: sfidat dhe mësimet e nxjerra; fuqitë e kantoneve për të rregulluar dhe të mbikëqyrur komunat; marrëdhëniet dhe ndërveprimet ndërmjet kantonit dhe komunave te saj; barazimi i kompetencave mes Konfederatës, kantoneve dhe komunave; sfidat kryesore për komunat zvicerane.
Gjatë takimit në parlament delegacioni shqiptar u njoh me elementë të sistemit politik zviceran dhe proceseve politike ne krijimin e një ligji të ri në Zvicër.