36-vjeçari po e braktisë ekipin ndoshta nga frustrimi për shkak të rolit të tij rezervë. ”Ishte një vendim i vështirë, i cili gjithashtu dhemb”, thotë Milaim Rama në një deklaratë për gazetarë, duke komentuar largimin nga FC Thun-i.
Megjithë shqetësimet për të ardhmen, ai ka thënë se do të angazhohet deri në fund të sezonit për të mirën e ekipit.
Sulmuesi kosovar, kontrata e të cilit përfundon me FC Thunin këtë verë, ishte ankuar kohët e fundit në trajnerin Bernard Challandes, për shkakun se ky i fundit në ndeshjen kundër Lozanës i kishte dhënë përparsi Fabianos. Futbollisti kosovar i FC Thun-it ka përfunduar shtatë ndeshje me kombëtaren e Zvicrës, dhe ky është sezoni i 13-të në FC Thun.
Drejtori sportiv, Andres Gerber e ka cilësuar Milaim Ramen si figurë kulti në FC Thun.
“Ne falenderojmë atë për gjithçka që ka bërë për klubin, brenda dhe jashtë fushës. Po ashtu për golat e shumtë të tij. Kontrata e tij skadon në fund të sezonit, ne duhet të pranojmë një vendim të tillë para kohe”, ka thënë Gerber.
Mbetet ende e paqartë nëse Milaim Rama do të jetë aktiv në futbollin profesional të Zvicrës.
Futbollisti veteran i FC Thun-it ishte njëri ndër 2-3 lojtarët aktiv më në moshë që ende luajnë në superligën e Zvicrës.