“15,000 njerëz protestuan sot në Bundesplatz, në Bernë, kundër shkurtimit të pensioneve”, shkruan Federata Zvicerane e Sindikatave, raporton srf.ch.
“Hendeku i pensioneve të grave në raport me pensionet e burrave është shumë i madh, sa një e treta – Kjo është një skandal!”, thuhet veç tjerash në mesazhet e demonstruesve.
Më tutje, demonstruesit kanë bërë të ditur se do të rezistojnë ndaj projektligjit të reformës “AHV 21”, transmeton albinfo.ch. Ata i kanë kërkuar parlamentit të rrisë pensionet në vend që t’i zvogëlojë ato.
Një aleancë e përbërë nga sindikatat, kolektivet e grave dhe partive të krahut të majtë kishte bërë thirrjen për demonstrim. Sindikata Unia kishte organizuar transportin falas për në Bernë. Demonstruesit u mblodhën në Schützenmatte në orën 13.30 pasdite dhe më pas filluan marshimin e tyre protestues drejt Bundeshaus-it (Pallatit Federal).
Që nga ora 15 pasdite ata kanë qenë në Bundesplatz, ku ka pasur grumbullime njerëzish dhe koncerte.
Federata Zvicerane e Sindikatave ka mbledhur 137,777 nënshkrime për nismën “Për një pension të 13 -të AHV”, transmeton albinfo.ch. Votimi pritet të mbahet në vitin 2023.
Me reformën e planikuar të AHV, mosha e pensionit për gratë do të rritet nga 64 në 65 vjet dhe norma standarde për TVSH -në nga 7.7 në 8.1 për qind. Dhoma Nacionale e Parlamentit dëshiron të përdorë fitimet e Bankës Kombëtare nga normat negative të interesit për financime shtesë për AHV ndërsa Dhoma e Kantoneve (Senati) nuk e miraton këtë.
Për më tepër, politikanë të rinj të ndryshëm duan të lidhin moshën e pensionimit me jetëgjatësinë. “Jungfreisinnigen Schweiz” (të rinjtë e FDP-së) ka paraqitur 145,000 nënshkrime në gusht për një iniciativë e cila kërkon ngritjen e moshës së pensionimit në 66 vjeç, duke filluar nga viti 2032, përcjell albinfo.ch. Pas vitit 2032 mosha e pensionimit do të lidhej në përputhje me jetëgjatësinë e popullatës.
Nisma zhvillohet nën titullin “Për një sigurim të qëndrueshëm dhe të sigurt të pleqërisë (nisma e pensioneve)”.