Berlin – Debati për lidhjen mes migrimit dhe sigurisë në Gjermani është rikthyer në qendër të vëmendjes politike. Kancelari Friedrich Merz ka deklaruar se “një pjesë e konsiderueshme e dhunës” vjen nga “grupet e emigrantëve”, duke mbrojtur kursin më të ashpër ndaj migrimit të parregullt.
Sipas tij, pavarësisht uljes së numrit të azilkërkuesve, “ne ende e kemi këtë problem në peizazhin urban”, çka, sipas qeverisë, justifikon dëbimet në shkallë më të gjerë.
Megjithatë, realiteti paraqitet më kompleks. Edhe pse migrimi është reduktuar ndjeshëm, ndjenja e pasigurisë tek qytetarët është rritur. Gati gjysma e popullsisë ndjehet e pasigurt në hapësirat publike, sipas sondazheve të fundit.
Politikanë si Jens Spahn theksojnë se shqetësimet lidhen edhe me ndryshimet në jetën e përditshme dhe në pamjen e qyteteve, zhvillime që kanë ndikuar edhe në rritjen e mbështetjes për Alternative für Deutschland (AfD).
Ekspertët ndërkohë paralajmërojnë se ndjenja e pasigurisë nuk lidhet vetëm me migrimin apo krimin e rëndë, por edhe me probleme sociale si varfëria, droga dhe sjelljet antisociale në hapësirat publike.
Në këtë kontekst, debati mbetet i hapur: a e rrit vërtet sigurinë kufizimi i migrimit, apo kërkohen zgjidhje më të thella sociale dhe ekonomike?
/dw/