Shaban Krasniqi, bashkatdhetar shqiptar nga Suedia, i ka dhuruar një autoambulancë spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri, transmeton albinfo.ch.
Ky donacion u dha në prani të kryetarit të Komunës, drejtorit të Mirëqenies dhe Shëndetësisë, si dhe menaxhmentit të spitalit. Vlen të theksohet se mërgimtari Krasniqi i ka dorëzuar këtë donacion të mbuluar financiarisht nga ai spitalit të Vushtrrisë.
Padyshim se një gjest i tillë nga mërgimtarët tanë, siç është rasti i Krasniqit, është i mirëseardhur për vendlindje, ndihmë kjo në të mirën e qytetarëve të Vushtrrisë.
Lidhur me këtë ndihmë, edhe kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, ka falënderuar mërgimtarin për ndihmën e dhënë në qytetin të cilin ai e udhëheq.
“Bashkatdhetari ynë, Shaban Krasniqi, nga Suedia, i ka dhuruar sot një autoambulancë spitalit të Vushtrrisë. Bashkë me Dr. Bujarin, drejtoreshën Shatri e stafin e spitalit falënderuam bashkëvendasin tonë për ndihmën e ofruar. Është hera e dytë brenda këtij viti që Shabani sjell këso donacionesh tepër të domosdoshme për shëndetin e qytetarëve të Vushtrrisë”, ka shkruar Tahiri. /Albinfo.ch




